Historiku
Historiku
02.06.2016 | 00:46
Historiku i shkurtër
 
Nuk janë gjetur të dhëna të sakta për datën e formimit dhe hapjen e kësaj biblioteke, por janë të gjitha gjasat që ka filluar të punojë në shkurt të vitit 1945, me një fond prej 1300 librash në gjuhën serbe dhe shqipe, si dhe një fond fletushkash dhe broshurash të kohës së luftës, por jo në këtë ndërtesë që është tash. Në këtë të tashmen ka kaluar pas dy viteve, më 1947, ku vazhdon të punojë edhe sot. Pas ndalimit të punës së Qendrës bibliotekare të KAKM, më 1953, fondi i koleksionit librar i është bashkëngjitur kësaj biblioteke dhe deri më 1956 ka luajtur rolin e Qendrës bibliotekare për gjithë territorin e Kosovës dhe brenda kësaj periudhe ka zgjeruar rrjetin e bibliotekave jashtë Prishtinës.
 
Themelimi zyrtar
 
Mbështetur në dokumentacionin zyrtar, shihet se themelues i bibliotekës është Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe kjo ndodh për herë të parë më 12.IV.1963, duke u quajtur Biblioteka Popullore “Milladin Popoviqi”. Kështu quhet për disa vjet, pastaj merr përsëri një emërtim tjetër- Biblioteka Popullore “Milladin Popoviqi”, për të vazhduar kështu deri më 1993. Prej vitit 1993 e deri më 1999 quhet Biblioteka grada-Biblioteka e Qytetit (pa shtesën Milladin Popoviq). Ndryshime të shpeshta në emërtimin e kësaj biblioteke ndodhin edhe më vonë, si p.sh. Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sulejmani”, Biblioteka Rajonale “Hivzi Sulejmani” , si dhe Biblioteka Ndërkomunale “Hivzi Sulejmani”…
 
Periudhat e zhvillimit
 
Gjatë punës së vet kjo bibliotekë pati disa herë ngritje dhe rënie të veprimtarisë së saj. Kjo histori e zhvillimit mund të karakterizohet me disa periudha. 
Periudha (I) më e gjatë është, pa dyshim, ajo e viteve 1945 – 1968. Kjo periudhë shquhet me një zhvillim shumë të ngadalshëm të kësaj biblioteke, me një kuadër mbizotërues të përhershëm të pakicës serbe, me mbizotërim të plotë të koleksioneve në gjuhën serbe, si dhe me padrejtësi të tjera të kësaj natyre.
Njëfarë përparimi dhe përmirësimi shënon periudha (II) e viteve 1968 -1977, por vetëm në depërtim të librit shqip. Struktura nacionale e punonjësve të bibliotekës ishte e papërfillshme në dobi të shqiptarëve, ndërsa udhëheqësit e bibliotekës për 30 vjet rresht ishin serbë. Kështu në vitin 1977, nga 25 punonjës sa kishte biblioteka, vetëm 4 prej tyre ishin shqiptarë. Edhe gjatë kësaj periudhe politika e furnizimit me literaturë ishte superiore ndaj librit shqip. Pastaj degët e kësaj biblioteke që hapeshin, kjo ndodhte kryesisht në vendbanimet me popullatë serbe, ose kryesisht serbe.     
 
Kthesa e vonuar
 
Periudha (III) e veprimtarisë së bibliotekës gjatë viteve 1977-1992 shënon kthesën e pritur 
për shumë kohë. Për herë të parë, më 1977, emërohet drejtori shqiptar në krye të kësaj biblioteke. Brenda këtyre viteve arrihen rezultate të shënuara, si në përmirësimin e strukturës nacionale të stafit, në pasurimin e koleksioneve me libër në gjuhën shqipe, në zgjerimin e rrjetit të degëve nëpër lagje të qytetit dhe në fshatra,  gjithashtu edhe në ndryshime të strukturës së administratës së bibliotekës. Më 1992 biblioteka numëronte 27 degë, shumica e të cilave ishin hapur gjatë kësaj periudhe. Ndryshime të rëndësishme bëhen edhe në punë të profesionalizimit të veprimtarisë bibliotekare. Bëhet trajnimi adekuat për përpunimin e koleksioneve të librit etj., duke u shërbyer me standardet më të reja bibliotekare të IFLA/UNESCO-s, në rend të parë për mënyrën e klasifikimit dhe katalogimit të librit. 
 
Vitet e rrënimit
 
Gjatë periudhës (IV) së viteve 1992-1999 biblioteka pësoi një goditje të rëndë, mbase më të rëndën gjatë gjithë historisë së saj. Në mars të vitit 1992, këtu filluan të zbatoheshin masat e dhunshme me në krye drejtorin serb, Dragolub Petroviq, i cili veproi në frymën e politikës shoviniste serbe. Ajo që ishte arritur me shumë mund, nisi të rrënohej shumë shpejt. Kështu, derisa më 1992 biblioteka qendrore kishte 27 degë dhe 48 punonjës (28 shqiptarë, 17 serbë, 1 kroat, 1 turk, 1 rom), si dhe një fond të koleksioneve  prej 130.611 libra, prej tyre 55.866 libra në gjuhën shqipe, më 1999 fondi librar i bibliotekës kishte zbritur në 62.274 libra, prej tyre në gjuhën shqipe 19.726, në gjuhën serbe 38.153, në gjihën turke 3.274 dhe në gjuhë të huaja 1.121 libra! E kishte pësuar edhe stafi i punonjësve shqiptarë, veçmas në bibliotekat-degë: nga 28 sa kishin qenë më parë, kishin mbetur vetëm 10. Këto degë (në fshatra) ishin shkëputur plotësisht prej Bibliotekës qendrore. Por e keqja më e madhe u kishte ndodhur disa bibliotekave gjatë luftës së fundit, të cilat i kishte djegur okupatori, si në Hade, Viti e Marecit dhe në Koliq. Kurse biblioteka në Spitalin e Sëmundjeve të Kraharorit ishte zhdukur pa gjurmë qysh më herët, në kohën e okupimit, me 3.500 libra dhe me krejt inventarin.
 
Vitet e rilindjes
 
Gjysma e dytë e vitit 1999 ishte koha e periudhës (V) kur fillon rilindja e kësaj biblioteke. Me të përfunduar lufta, e rifilluan punën më pak se gjysma e punonjësve (16 vetë nga 45 sa kishte pasur para ndërhyrjes së NATO-s; punonjësit serbë nuk u kthyen asnjëherë). Gatishmëria, entuziazmi dhe përkushtimi i punonjësve, ishte i paparë, si në sanimin e gjendjes që ishte tejet e çrregulluar, gjithashtu edhe në kryerjen e shërbimeve ndaj përdoruesve të respektuar. Si në Bibliotekën qendrore, ashtu edhe në degët e saj. Për përmirësimin e gjendjes kishin kontribuar edhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare, por pati ndonjë edhe të vendit. 
 
Prioritet i ishte dhënë kompletimit të kuadrit dhe trajnimit profesional të tij. Nga 16, sa kishte në fillim (1999), në vitin 2004 kishte 38 punonjës. U arrrit të rihapen të gjitha bibliotekat-degë dhe të sigurohet kuadri për to. 
 
Përparësi e radhës ishte pasurimi dhe pertëritja e koleksioneve të bibliotekës me literaturë, ndonëse nuk ishte punë që do të arrihej lehtë dhe shpejt… U desh të kalojë goxha kohë për t’u ndjerë freskimi i koleksioneve. Ndërsa me materialin bibliotekar lypsej gjithçka prej fillimit, për shkak edhe të përshtatjes në gjuhë. Ishte e ngutshme dhe e rëndësishme gjithashtu pajisja e të gjithë sektorëve dhe e shumë degëve të bibliotekës me teknologji elektronike, dhe është arritur shumë në këtë drejtim. Tash biblioteka disponon me dhjetëra kompjuterë dhe aparate të tjerë, me internet për sektorët e bibliotekës dhe për nevojat e përdoruesve, të cilët e shfrytëzojnë falas. 
 
Aktualisht biblioteka ka në përdorim  edhe dy module të Programin kompjuterik Aleph 500, për katalogim dhe pasurim të librit.
Biblioteka është dalluar edhe në fushën e botimeve dhe deri më tash ka botuar nëntë (9) libra dhe tetë (8) numra të revistës letrare “Oaza”.  
Frankofofonia kulturore në "Hivzi Sulejmani"
Frankofofonia kulturore në "Hivzi Sulejmani"
17.09.2024 | 01:19
Për bashkëpunim të mëtejmë në fushën e letërsisë, të kulturës dhe organizimeve të përbashkëta, u
Përurohen veprat e Sami Pirajt
Përurohen veprat e Sami Pirajt
17.09.2024 | 12:56
Pas përvojës së gjatë me gazetarinë e kulturës e me teks të veçantë atë të muzikologjisë jo vetëm
Dita Botërore e Shkrim Leximit
Dita Botërore e Shkrim Leximit
17.09.2024 | 12:49
Pas pushimeve verore, kanë filluar veprimtaritë leximore me lexuesit e vegjël edhe në degën/qendër